top of page

Ndërlidhshmëria

Imperativi i Privatësisë së të Dhënave

Gusht, 2022
20 min lexim

Sfida rregullatore e privatësisë së të dhënave paraqet mundësi domethënëse të cilat padyshim tejkalojnë zbutjen e riskut të pajtueshmërisë rregullative. 

  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram

Kërkesat e jetës digjitale kanë transformuar rrënjësisht peizazhin e përpunimit të të dhënave dhe regjimet përkatëse të mbrojtjes së privatësisë. Konsumatorët po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm në lidhje me shpërndarjen e të dhënave dhe më këmbëngulës për të mbajtur kontrollin mbi trajtimin e informacionit të tyre. Si rezultat, ligjvënësit po nxitojnë të kufizojnë shumimin e shkeljeve dhe të vendosin masa mbrojtëse të domosdoshme për të mbrojtur qytetarët.

Rregulloret në zhvillim e sipër mbi privatësinë e të dhënave personale vazhdimisht po zhvendosin përgjegjësitë e kompanive për menaxhimin e të dhënave të kompanive. Në përgjigje ndaj këtyre kërkesave rregullatore që po ndryshojnë me shpejtësi, bizneset kanë përshtatur qasjen e tyre ndaj pajtueshmërisë rregullative dhe përpunimit të të dhënave. Me kalimin e kohës, kompanitë janë vetëdijesuar se kontrolli mbi të dhënat paraqet një mundësi për të krijuar një pikë diferencimi dhe burim avantazhi konkurrues. 

CARBON TAX-05-05.png

Në përpjekje për të harmonizuar idenë e privatësisë me dinamikat e një ekonomie digjitale në rritje, qeveritë kanë miratuar rregulla të reja, siç është Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave Personale (GDPR) në Evropë dhe Akti i Kalifornisë për Privatësinë e Konsumatorit (CCPA). Megjithatë, juridiksionet rreth e qark botës kanë arritur në përfundime thellësisht të ndryshme në lidhje me ekuilibrin e dëshiruar ndërmjet imperativit të privatësisë dhe interesit komercial. 

Bashkimi Evropian filloi me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (GDPR), e cila fuqizoi mbrojtjet për konsumatorë dhe u ofroi përdoruesve më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre. Vetëm katër vite pas hyrjes në fuqi të GDPR, BE-ja prezantoi një rregullore të re të quajtur Akti Evropian i të Dhënave. Ky legjislacion i propozuar synon të stimulojë inovacionin e nxitur nga të dhënat dhe të kultivojë një treg konkurrues të të dhënave.

Edhe shtete të tjera po ndjekin këtë shembull. Mbretëria e Bashkuar ka prezentuar një reformë për mbrojtjen e të dhënave ‘post-Brexit’ që rishikon standardet ekzistuese të BE-së dhe zhvendos tonin drejt një qasje më miqësore ndaj bizneseve. Megjithatë, ky digresion nga regjimi aktual i mbrojtjes së të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar, që në thelb pasqyron GDPR-në, do të prishë vazhdimësinë e biznesit në tërë kontinentin në mënyrë të paevitueshme. 

CARBON TAX-10.png

Në Shtetet e Bashkuara, pas vitesh me hapa solidë në avancimin e regjimit të mbrojtjes së të dhënave në nivel shtetëror, Kongresi është aktualisht më afër se kurrë për miratimin e vendimit gjithëpërfshirës federal. Mbrojtjet e privatësisë të ofruara nga Akti i propozuar Amerikan i Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave (ADPPA) kanë tejkaluar pritshmëritë e shumë njerëzve. Nëse miratohet, ky projektligj do të paraqiste një kompromis domethnënës që do të unifikonte mozaikun e copëtuar të ligjeve të privatësisë të cilat aktualisht janë në fuqi nëpër ShBA.

CONSTELLATIONS (2).png

Në përputhje me agjendat e tyre të integrimit evropian, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarrë hapa për të harmonizuar legjislacionin për privatësinë e të dhënave me standardet e BE-së. Përderisa disa kanë miratuar ligje të reja që kopjojnë dispozitat e GDPR, të tjerë kanë zgjedhur një rrugë tjetër dhe kanë miratuar legjislacion dytësor që përafron rregulloret ekzistuese me normat e reja të BE-së.

Shtetet përgjatë gjithë rajonit po ashtu kanë themeluar ose transformuar autoritetet përkatëse për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave. Duke vepruar në këtë mënyrë, ato kanë ofruar adresa të caktuara ku kompanitë dhe konsumatorët mund të paraqesin shqetësimet e tyre në lidhje me menaxhimin e të dhënave. Në të shumtën e rasteve, autoritetet e tilla funksionojnë si agjensione të pavarura.

Ekuivalenca efektive në mes të regjimeve të privatësisë së të dhënave në Ballkanin Perëndimor dhe në BE ofron qartësi dhe kontinuitet të konsiderueshëm për bizneset. Si një rregull i përgjithshëm, kompanitë që janë në përputhje me GDPR nuk kanë nevojë të shqetësohen se mund të hasin ndonjë problem në lidhje me privatësinë e të dhënave kur operojnë në Ballkanin Perëndimor.

Fragmentimi i hapësirës rregullative ka paraqitur një sfidë për kompanitë që operojnë ndërkombëtarisht. Kushtet e lloj-llojshme të shfaqura nëpër juridiksione dhe tregje të ndryshme kanë zvogëluar avantazhet konkurruese të shtrirjes së modeleve operative nëpër gjeografi të ndryshme. Kompanitë e familjarizuara me një klimë standardesh konvergjente tani po përballen me kushte të cilat në mënyrë progresive po lokalizohen.

Kjo përzierje hutuese e rregulloreve ka nxitur bizneset që të devijojnë nga qasja e tyre tradicionalisht homogjenizuese ndaj praktikave të menaxhimit të të dhënave. Organizatat janë bërë më të vëmendshme ndaj veçorive të regjimeve rregullatore, kanë përditësuar infrastrukturat e të dhënave dhe kanë përmirësuar  procedurat e përpunimit të të dhënave për të arritur standardet divergjente. Sidoqoftë, investimet e konsiderueshme të asociuara me implementimin e reformave të tilla kanë çuar drejt një rritje domethënëse të kostove të pajtueshmërisë.

KEY TOOLS-09-09.png

Shfrytëzimi efektiv i përdorimit inteligjent të të dhënave po ndihmon markat që të ndërtojnë besim digjital dhe të përmirësojnë marrëdhëniet me konsumatorët. Teksa kompanitë synojnë të ofrojnë shërbime të rrjedhshme nëpër shtete të ndryshme dhe të krijojnë eksperienca të personalizuara për klientët e tyre, disa hapa kyç mund të bëjnë ndryshimin:

HAPAT KYÇ

Vlerësoni kushtet rregullative të çdo juridiksioni përkatës

Rishikoni mundësitë potenciale të tregjeve përkatëse

Targetoni lokacionin optimal për vendosjen e operacioneve me të dhëna

Përzgjedhni ofruesit lokalë për të plotësuar kapacitetet e përpunimit

Alokoni buxhetin e duhur

Krijoni infrastrukturë në përputhje me rrethanat

Zhvilloni protokole për menaxhimin dhe migrimin e të dhënave

Me vendosjen e sistemeve të duhura, kompanitë mund të forcojnë gatishmërinë e tyre për të përmbushur aspekte të vështira të kushteve rregullatore, siç është fshirja dhe transferimi i të dhënave me kërkesë të konsumatorëve individualë. Kompanitë po ashtu mund të zhvillojnë aftësi më të fuqishme për analitikë të aplikuar dhe të përfitojnë nga mjetet e çmueshme të mësimit makinerik (machine learning). Duke vepruar në këtë mënyrë, kompanitë jo vetëm që do të përmbushin imperativin e privatësisë së të dhënave, por gjithashtu do të absorbojnë vetë fuqinë e të dhënave. 

Mendimet Tona të Fundit

bottom of page